top of page

Historiku

Në Maj 1990, në Shqipëri u rivendos pas 25 vjetësh liria e besimit. Në Janar 1991, Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës zgjodhi Fortlumturinë e Tij, Anastasin, Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë,për t’u përballur me shumë prej sfidave që paraqiste rindërtimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Në këtë kohë qeveria ishte në një proces tranzicioni. Të përballur me një të ardhme jo të qartë, kompanitë shtetërore patën një moment ndalese. Kooperativat bujqësore u mbyllën dhe shifrat e papunësisë arritën në 70%. Kjo klimë politike dhe ekonomike krijoi nevojën e madhe për ndihmë në të gjithë Shqipërinë. Me qëllim përballjen e këtyre dilemave, me iniciativën e Kryepiskopit Anastas, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë filloi t’i përgjigjej nevojës për ndihmë. Gjatë vitit 1992 një nga prioritetet e para të Fortlumturisë së Tij, ishte krijimi i Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë), si zyra sociale dhe zhvilluese brenda Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Kështu, zyra Diakonia Agapes filloi t’i përgjigjej një kombi që vuante, me shërbimin, dashurinë dhe solidaritetin e saj. Gjatë dy viteve të para, 1992 dhe 1993, Diakonia Agapes kishte në qendër të punës së saj shpërndarjen e ndihmave humanitare (si ushqime, medikamente mjekësore, rroba, etj.) në zona të varfëra të Shqipërisë.

Në Maj 1993, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë mikpriti një Tryezë të Rrumbullakët ku ftoi disa agjenci ekumenike të zhvillimit. E organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave (KBK) anëtare e të cilit është edhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, dhe nga Konferenca e Kishave Europiane (KKE), kjo mbledhje shënoi edhe fillimin e një bashkëpunimi ekumenik më intensiv. Në këtë mbledhje u siguruan fonde për programet e ardhshme të Diakonia Agapes. Viti 1994 ishte vetëm fillimi i krizave të shumta që Shqipëria do të kalonte. Duke iu përgjigjur këtyre ndryshimeve, aktiviteti i zyrës kaloi nga ofrimi i ndihmave humanitare gjatë kohës së emergjencave në zbatim programesh në fushën e zhvillimit. Këto programe kishin si synim gra, grupe rinore, zbutjen e papunësinë, shëndetin dhe bujqësinë. Gjithashtu gjatë vitit 1994 u ndërmorën iniciativa të reja si p.sh. vizita në zona rurale me qëllim identifikimin e nevojave parësore të banorëve. Që prej asaj kohe, zyra filloi zbatimin e programeve e projekteve të larmishme në fusha të ndryshme.Një prej iniciativave të reja të ndërmarra në këtë kohë lidhet me rëndësinë që iu kushtua fushës së bujqësisë, e ndikuar kjo edhe nga fakti që 70% e popullsisë shqiptare e ka ndërtuar jetën e saj bazuar tek prodhimet bujqësore. Programet bujqësore u finacuan përmes një programi të një fondi qarkullues që synonte të inkurajonte vetë-iniciativë, pavarësi dhe qëndrueshmëri të projekteve.

Tryeza e rrumbullakët e mbajtur në Tetor 1995 nxori në pah progresin e zyrës Diakonia Agapes dhe programeve të saj ndër vite. Gjatë vitit 1996, zyra vazhdoi programet e saj në gjithë Shqipërinë. Viti 1997 ishte një vit i vështirë.

Një krizë civile që shpërtheu në Janar, shkaktoi humbje jetësh të panumërta. Kjo vështirësoi edhe gjendjen e lëvizjes brenda vendit, megjithatë Diakonia Agapes e vazhdoi aktivitetin në një shkallë më të ulët. Për t’iu përgjigjur krizës, në korrik 1997, zyra zbatoi një Program Emergjence të Ndihmës Ushqimore në bashkëpunim me Rrjetin ACT (Action by Churches Together) të Këshillit Botëror të Kishave (WCC) dhe me IOCC (International Orthodox Christian Charities). Nga ky program u ndihmuan 15,184 familje në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 1998, Diakonia Agapes vazhdoi programet e saj sociale dhe zhvilluese. Zhvillime të reja ndodhën duke reflektuar edhe shtrirjen e aktivitetit të organizatës. Për herë të parë zyra bëri hapin e rëndësishëm të hartimit të Planit Strategjik 3-vjeçar të saj për periudhën 1999 – 2001, dokument që u prezantua në Tryezën e Rrumbullakët të mbajtur në Nëntor, në të cilën donatorë të rëndësishëm ofruan ndihmën e tyre për mbështetjen financiare të programeve të zyrës.

Gjatë viteve të operimit, stafi i zyrës dhe burimet e saj janë rritur, si rezultat irritjes së aktivitetit të përgjithshëm si dhe ndërmarrjes së iniciativave të reja. Që me lindjen e saj në vitin 1992 e deri më sot, qëllimi i Diakonia Agapes ka kaluar nga ofrimi i ndihmës humanitare gjatë periudhave të emergjencës, drejt fushës së zhvillimit, për t’u përshtatur sa më mirë me nevojat në ndryshim të situatës në Shqipëri. Diakonia Agapes filloi aktivitetin si një përgjigje dashurie dhe sakrifice kundrejt situatave emergjente të një periudhe kritike tranzicioni në Shqipëri. Në ditët e sotme, Diakonia Agapes është zhvilluar në një zyrë që mbërrin deri tek grupet e ndjeshme dhe të varfra të shoqërisë, duke punuar së bashku me komunitete dhe individë për të arritur ndryshime të qëndrueshme në jetën e tyre.

bottom of page