Fondacioni "Fryma e Dashurisë"
Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri! (1 Korintasve 16:14)
Misioni e vizioni
Hyrje
Diakonia Agapes është themeluar në vitin 1992 me iniciativën e Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Ajo është zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Diakonia Agapes filloi aktivitetin e saj duke ofruar ndihmë humanitare gjatë periudhave të emergjencës, e më pas për t’u përshtatur sa më mirë me nevojat në ndryshim të situatës në Shqipëri, i orientoi aktivitetet e saj drejt fushës së zhvillimit, duke synuar t’i qëndrojë afër dhe të mbështesë individët dhe grupet më në nevojë në shoqërinë shqiptare. Që prej vitit 2000, zyra operon brenda Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që është një organizatë jo-fitimprurëse. Diakonia Agapes është gjithashtu një nga themelueset e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile i cili është një rrjet i përbërë prej 15 organizatash të kësaj fushe që veprojnë në Ballkan.
Qëllimi i Diakonia Agapes
Qëllimi i DA-së është zhvillimi i burimeve materiale dhe njerëzore në Republikën e Shqipërisë. Për këtë qëllim, Diakonia Agapes mobilizon dhe organizon burime financiare, materiale dhe njerëzore si në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Misioni
Diakonia Agapes për të shprehur dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për njerëzimin, punon pa dallim me të gjithë njerëzit në Republikën e Shqipërisë dhe në rajon, për të zhvilluar shpresë, ndershmëri, besim dhe vetë-iniciativë përmes programeve dhe iniciativave integruese, zhvilluese, sociale dhe edukuese.
Vizioni
“Dashuri që bën ndryshime”
Objektivat e saj janë:
- Të ndërtojë marrëdhënie afatgjata bashkëpunimi me organizata, shoqata, institucione dhe individë si në Republikën e Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj, me të cilat ndan qëllime të përbashkëta dhe të cilët janë të interesuar në zhvillimet e mëtejshme në edukim, zhvillim, kujdes social dhe ndihmë emergjente ne Republikën e Shqipërisë;
- Të vazhdojë në vendosjen e një strukture të fortë për hartimin e projekteve në fushën e edukimit, zhvillimit, kujdesit social dhe ndihmës emergjente, për të mobilizuar të gjithë burimet e nevojshme për këto projekte, për t’i zbatuar ato dhe për të bashkëpunuar me organizata, shoqata, institucione dhe individë të tjerë gjatë realizimit të tyre;
- Të informojë publikun vendas e ndërkombëtar për situatën dhe nevojat për zhvillim në Republikën e Shqipërisë rreth punës së saj, punës së organizatave të tjera, shoqatave, institucioneve dhe ndikimin e kësaj pune; dhe
- Të zhvillojë aktivitete të tjera që kontribuojnë në përmbushjen e misionit të Diakonia Agapes.
Fushat e veprimtarisë
Zhvillimi i Integruar Rural – Me synimin për të arritur përdorimin optimal të burimeve lokale natyrore njerëzore dhe financiare për të siguruar një zhvillim të integruar rural. Aktivitetet synojnë të krijojnë kushte të mira jetese për banorët e zonave rurale, përmes trajnimeve në marketing dhe prodhim bujqësor për fermerët, mbështetjes me asistencë teknike, shërbimeve të ekstensionit dhe organizimin e fushatave ndërgjegjësuese.
Shëndeti – Me qëllimin që t’i fuqizojë njerëzit për të patur një jetë të shëndetshme. Aktivitetet synojnë të përmirësojnë shëndetin dhe mënyrën e jetesës së njerëzve duke siguruar edukim shëndetësor lidhur me kujdesin shëndetësor parësor për gratë në zonat rurale, trajnimin për personelin shëndetësor të zonave rurale, përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në zonat rurale.
Edukimi – Me synimin që të aftësojë njerëzit që tu përgjigjen pozitivisht zhvillimeve në komunitetet e tyre. Aktivitetet synojnë të rrisin nivelin shoqëror e shpirtëror të grupeve të synuar dhe kapacitetet e grupeve të ndryshme të komunitetit, duke inkurajuar komunitetin që të krijojë një ambient mbështetës për njerëzit në nevojë.
Emergjenca – Diakonia Agapes do të vazhdojë të përgjigjet me efektivitet duke u shërbyer të gjithë atyre që janë duke vuajtur për shkak të fatkeqësive natyrore duke u përpjekur të menaxhojë kriza emergjente humanitare.