top of page

Lajme

Search
Writer's pictureFryma e Dashurisë

Filloi viti i ri shkollor në shkollat parauniversitare të Kishës sonë


Arsimimi dhe edukimi i brezit të ri ka qenë gjithmonë ndër synimet kryesore të kontributit të Kryepiskopit Anastas gjatë këtyre viteve. Ndër veprimet e para që kreu sapo erdhi si Ekzark Patriarkal ishte hapja e një shkolle për klerikët, që ata të kishin nivelin e duhur arsimor përballë sfidave të kohës dhe të përgatiteshin në Shqipëri. Që nga ajo kohë, gjithmonë me kujdesin e tij të veçantë dhe me mundësitë që ai krijoi u hapën një sërë qendrash edukimi, duke nisur nga arsimi parashkollor, ai parauniversitar e deri tek arsimi i lartë.

   Më 15 shtator, nisën procesin mësimor edhe institucionet e arsimit parauniversitar të ngritura nga Kisha jonë. Të parat i hapën dyert 21 përkujdesjet ditore të fëmijëve. Në Tiranë, kopshti filloi në mjediset e reja moderne, pranë shkollës “Protagonistët”, një investim që ka rritur sa kapacitetet pritëse, duke parë kërkesat e shumta aq edhe ka krijuar kushte të shkëlqyera për vogëlushët. Kjo krijoi mundësinë që të shtohej edhe një klasë e re parashkollore.

   Të gjitha shkollat janë të pajisura me personel të kualifikuar dhe kanë gjithë kabinetet, mjediset sportive dhe ambientet e nevojshme për zhvillimin e një procesi mësimor cilësor. Në të gjitha shkollat nxënësit janë pajisur me libra dhe mjete didaktike. Nivelin në rritje të këtyre shkollave e dëshmojnë  dhe kërkesat e shumta për t’i frekuentuar, aq sa kthehen mbrapsht nxënës për mungesë vendi. Një dëshmi e nivelit të mësimdhnënies në to janë dhe rezultatet e mira që kanë pasur nxënësit në provimet e maturës, ku duhet veçuar rezultati i nxënësit Ledio Karaj, i shkollës së mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Sukth, i cili në provimin e Historisë mori 99.9 pikë, duke dalë më i miri në vend. Apo i nxënësve të shkollës së mesme profesionale “Apostull Pavli”, në Mesopotam, të cilët dolën më të mirët në provimin e matematikës për zonën juglindore të vendit.

   Vitin e ri shkollor e nisën edhe fëmijët dhe të rinjtë që ndjekin mësimet në institucionet arsimore që Kryepiskopi Anastas ka themeluar dhe i mbështet në funksionin e tyre në zona të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Ecuria e mirë e tyre ka krijuar tanimë besimin e komuniteteve lokale dhe prandaj numri i familjeve që i besojnë arsimimin e fëmijëve të tyre institucioneve të arsimit parashkollor, nëntë vjeçar dhe të mesëm të Fondacionit “Frymë Dashurie” edhe në Gjirokastër është vit pas vit në rritje. Mitropoliti i Gjirokastrës pas Liturgjisë Hyjnore që u krye në kishëzën e shkollës së mesme kishtare “Kryqi i Nderuar”, e cila edhe kremtonte një ditë më parë, kreu ajasmën dhe u foli nxënësve, mësuesve dhe gjithë të pranishmëve, duke iu përcjellë edhe përshëndetjet, urimet dhe këshillat nxitëse të Fortlumturisë së Tij.

   Në të gjithë vendin hapën sërish dyert për të pritur nxënësit këto institucione arsimore parauniversitare të hapura nga Kisha jonë: Shkolla 9-vjeçare dhe liceu shqiptaro - amerikan “Protagonistët”, në Tiranë; dy shkolla 9-vjeçare shqiptaro - greke, “Frymë Dashurie”, pranë kishës së Shën Gjergjit, në Durrës dhe në Gjirokastër; shkollat e mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe në  Sukth, Durrës, shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”, në fshatin Mesopotam të Delvinës.

25 views0 comments

Recent Posts

See All

Comments


We Need Your Support Today!

bottom of page